Lumenjë dhe Liqene

Lumenjë dhe Liqene
Kanionet mbresëlënëse të liqenit të Komanit janë padyshim kali i betejës për këtë rajon, por pse duhet të humbisni brigjet freskuese të Liqenit të Vaut të Dejës, shpatet e pjerrëta mbi Liqenin e Fierzës ose ujërat e kthjellta të përrenjëve të Gominës dhe Gomsiqes? Përgjigjja është e thjeshtë: pa asnjë arsye!
Liqeni i Komanit
![]()
Liqeni artificial i Komanit i cili nis dhe merr jetë në fshatin me të njëjtin emër është një nga bukuritë më të rralla që të ofron Veriu i Shqipërisë. Grykat e ngushta me male të larta, të thepisura e të gjelbëruara nga të dyja anët të japin përshtypjen sikur po udhëton mespërmes kanioneve që prekin qiejt. Liqeni shtrihet në një sipërfaqe prej 12 km² dhe arrin thellësi deri në 170 metra. Përveç Drinit ai ushqehet nga lumenjtë Shala dhe Valbona që njihen për ujin e freskët dhe të kristaltë.

Liqeni i Vaut të Dejës
![]()
Liqeni artificial i Vaut të Dejës i gjendur vetëm pak kilometra largë kryeqendrës së veriut (Shkodrës) është formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin më 1971 me ndërtimin e hidrocentralit me të njëjtin emër. Ai ka një sipërfaqe prej 24.7 km², me një thellësi maksimale 52 m. Liqeni është magjepsës teksa kalon nëpër gryka të ngushta malesh, apo brigje pyjesh me shkurre dhe pisha. Në të kaluarën ka shërbyer më së shumti për prodhim energjie, transport dhe peshkim ndërsa së fundmi një rëndësi e veçantë i është dhënë edhe turizmit. Në liqenin e Vaut të Dejës mund të bësh një alternim të mirë, mes banjove në ujërat e ëmbla dhe të pastra, eksplorimit të natyrës dhe pushimit nëpër pikat e agroturizmit. Një nga bukuritë që nuk duhen humbur për asnjë arsye është ishulli i Shurdhahut, i njohur si qyteti mesjetar i Sardës ku kanë bashkëjetuar tre kultura të veçanta ajo e Mirditës, e Malësisë dhe e Zadrimës.

Liqeni i Fierzës
![]()
Liqeni i Fierzës është liqeni më i madh artificial i ndëtuar në Shqipëri. Ai është krijuar në shtratin e lumit Drin në vitin 1978, në funksion të hidrocentralit të Fierzës i cili është rregullatori i furnizimit me uji për dy hidrocentralet e tjera atë të Komanit dhe të Vaut të Dejës. Ka një sipërfaqe ujore prej 72.5 km², me thellësi maksimale 128 metra dhe një kapacitet maksimal ujëmbajtës 3,2 miliardë metër kub uji. Përveç bukurive natyrore që ofron në çdo stinë të vitit pellgu ujëmbledhës i Fierzës ka shërbyer për peshkim dhe si urë lidhëse mes fshatrave të Kukësit, Tropojës dhe Fushë Arrëzit.

Lumi Fan i Madh
![]()
Lumi Fan i Madh nis dhe merr jetë në njesinë administrative Kryezi, Fushë Arrës. Duke mbledhur ujin e përrenjëve përreth dhe atyre që gjen gjatë rrugës. Lumi Fan i Madh kalon nga ana jugore e qytetit të Fushë Arrëzit, përshkon fshatrat Gojan, Gjegjan dhe bashkohet me Fanin e Vogël në pjesën jugore të qytetit të Rrëshenit dhe derdhën së bashku në lumin Mat në pjesën lindore të Milotit.

Lumi i Gomines
![]()
Lumi i Gominës është një nga lumenjtë më të rëndësishëm të bashkisë së Pukës për tu eksploruar. Ai nis dhe merr jetë në fshatrat Blinisht dhe Buhot, rrëzë malit të Krrabit, ndërsa mbledh edhe një pjesë të mirë të ujërave të përrenjëve që zbresin nga mali i Tërbunit. Përmes luginash mahnitëse Gomina përshkon fshatrat Kabash dhe Qelëz ndërsa derdhet në Liqenin e Komanit. Në grykëderdhjen e këtij lumi ndodhet një nga atraksionet më të veçanta të zonës siç është “Shpella e Kaurrit”.

Lumi i Gomsiqes
![]()
Lumi Gomsiqe buron nga bjeshkët e malit të Tërbunit në Pukë, duke mbledhur ujërat e përrenjëve ai përshkon dy fshatrat Gomsiqe nga ka marr dhe emrin për tu derdhur pastaj në liqenin e Vaut të Dejës. Ky lumë njihet për vrullin e tij të rrëmbyeshëm gjatë stinëve me reshje të dendura shiu. Ajo ç’ka vlen të theksohet është fakti se përgjatë brigjeve të këtij lumi ka kaluar rruga Shkodër-Prizren gjurmët e të cilës janë krejtësisht të pakta.

Si mund të di më tepër?
Kontakto Guida Turistike Shija e Veriut për më shumë info!








