Diten e Hënë 5 Tetor 2020 gjatë eventit “Italia për Qëndrueshmërinë dhe Agjendën 2030” mbajtur pranë Rezidences Italiane në Tiranë i është dhënë Fatlum Brahimit njërit prej prodhuesve të djathit “Shija e Veriut” titulli i mirënjohjes së anëtarësimit tek marka “Made With Italy”.
Fatlumi dhe familja e tij prej vitesh kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit lokal në Mjedë (Vau Dejës) me baxhon e tyre të quajtur “Punishtja Hysa”, duke i ofruar tregut Shqiptarë nënprodukte qumështi me kualitet të lartë që vjen nga prodhimi i zonës.
Eventi ka patur për qëllim prezantimin e aktiviteteve kryesore dhe praktikat më të mira në Shqipëri në favor të çështjeve strategjike si qëndrueshmëria e mjedisit, ekonomia qarkulluese, edukimi rreth mënyrave të shëndetshme të të jetuarit, në respektim të mjedisit dhe shoqërisë në të cilën jetojmë. Këto janë vetëm disa nga objektivat e markës Shija e Veriut, të krijuara për të promovuar dhe rritur prodhimin vendas, të lidhur fort me territorin, në mbështetje të mbarështuesve, fermerëve, artizanëve dhe operatorëve turistik të zonës.
Djathi i markës “Shija e Veriut” është një produkt me cilësi të lartë që vjen nga ushqyerja e bagëtive në kullotat e Bashkive Vau Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz. Prodhimi bëhet në përputhje të plotë me praktikat tradicionale të specifikuara në lidhje me mbarështimin dhe përpunimin e qumështit, duke ofruar djathë të bardhë ose kaçkavall me një shije unike dhe 100% natyrale.
Pjesmarrja në event është mundësuar falë projektit “Aleanca për Zhvillimin dhe Vlerësimin e Bujqësisë familjare në Veri të Shqipërisë”, financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim në Zhvillim – AICS dhe implementuar nga Volontari nel Mondo, COSPE, PfD dhe Hapa të Lehtë.


